Inteligjenca Artificiale mund të duket sikur ka demokratizuar shkrimin, por e vërteta është se ka industrializuar mediokritetin. Letërsia, në fund të fundit, nuk ishte menduar kurrë të ishte e lëmuar dhe e kollajtë. Ajo duhej të ishte e ashpër, kundërshtuese dhe, mbi të gjitha, njerëzore.
Nga: Utpal Kumar
Diku mes viteve 1953-54, Roald Dahl shkroi një tregim të shkurtër me titull “Gramatizuesi i madh automatik”. Protagonisti i tij, Adolph Knipe, ndërton një makinë që mund të “prodhojë një histori me pesë mijë fjalë, të daktilografuar dhe gati për t’u dërguar, për tridhjetë sekonda”. Makina furnizohej “me subjekte” dhe më pas “shkruante fjalitë”.
Më pas, Knipe u afrohet shkrimtarëve më të suksesshëm të vendit me një pazar djallëzor: pranoni pagesë të përjetshme, mos shkruani më asnjë fjalë dhe lejoni që makina të botojë nën emrin tuaj.
Shumica e autorëve pranojnë, sidomos ata më mediokrit, të lodhurit dhe që dikur kishin qenë të famshëm, por tashmë u kishin shteruar idetë. Shkrimtarët më të rinj dhe më të talentuar rezistojnë, por në fund edhe ata detyrohen të dorëzohen. Autorët njerëzorë zhduken nga profesioni. Letërsia mbijeton, por jo shkrimtarët.
Shtatëdhjetë vjet më vonë, ne po jetojmë brenda profecisë së Dahlit. Vetëm se tani, makina quhet “inteligjencë artificiale” (IA).
Paradoksi i çuditshëm tek Inteligjenca Artificiale
Inteligjenca Artificiale mund të duket sikur e ka demokratizuar shkrimin, por e vërteta është se ajo ka industrializuar mediokritetin. Po, sot çdokush mund të prodhojë një artikull të mirë. Gramatika nuk ka fare të meta. Pikësimi është i rregullt. Gabimet drejtshkrimore janë zhdukur. Por bashkë me to është zhdukur edhe ai lloj shkrimi që mund të quhej i freskët, origjinal dhe provokues.
Ky është paradoksi i çuditshëm i epokës së Inteligjencës Artificiale: zhdukja e shkrimit të keq ka sjellë edhe rënien e shkrimit të mirë. Po hyjmë në një epokë të sunduar nga ligji i mesatares, ku të gjithë shkruajnë mjaftueshëm mirë, por hapësira për shkrimin magjepsës po tkurret dita-ditës.
Të shkruarit po fillon të ndihet frikshëm i ngjashëm. Gabimet janë zhdukur, por bashkë me to edhe surprizat. Fjalitë janë të sakta, por edhe të parashikueshme. Gjuha është e lëmuar, por e zbehtë dhe pa jetë.
Shkrimet e mëdha lindin nga eksperimentimi. Shpesh burojnë nga rreziqet, nga përpjekjet e dështuara, nga struktura të çuditshme fjalish që në fund bëhen të bukura. Nëse shkrimtarët ndalojnë së luftuari me gjuhën sepse një makinë u ofron menjëherë fraza të përsosura, si do ta zbulojnë zërin e tyre? Nëse dikush nuk shkruan kurrë keq, si do ta kuptojë çfarë është vërtet shkrimi i mirë? Ky është rreziku i vërtetë.
Vdekja e origjinalitetit
Inteligjenca Artificiale lulëzon mbi modele. Ajo parashikon çfarë vjen më pas bazuar në atë që ka ndodhur më parë. Kjo e bën efikase, por njëkohësisht konservatore në thelb, si dhe të parashikueshme. Siç vëren Knipe i Dahlit, shkrimi i një makinerie “qeveriset nga rregulla pothuajse matematikore në ngurtësinë e tyre! Duke pasur fjalët dhe kuptimin e asaj që duhet thënë, ekziston një dhe vetëm një renditje e saktë në të cilën ato fjalë mund të vendosen”.
Kjo bie ndesh me rendin natyror të shkrimit, i cili nuk është thjesht renditje e fjalëve gramatikisht të sakta, por ritëm, rebelim dhe obsesion. Ai i përket shkrimtarit që shkel gramatikën për hir të bukurisë, që shpik fjalë kur ato ekzistueset nuk mjaftojnë dhe që e përkul gjuhën, derisa ajo të zbulojë diçka të re. Ai i përket eksperimentimit. Dhe sundohet nga ata që jetojnë e lulëzojnë në zonat gri të krijimit.
Por, Inteligjenca Artificiale preferon sigurinë. Ajo e rrafshon gjuhën, i zbut skajet dhe eleminon parehatinë. E kombinuar me fiksimin ndaj korrektesës politike dhe frikën për të mos ofenduar askënd, shkrimi bëhet i sigurt dhe i lëmuar, por gjithnjë e më steril.
Kjo më kujton një nga bashkëpunëtoret e mia. Sa herë që dërgon një artikull, ajo më thotë se e ka shkruar vetë dhe se nuk e ka “lustruar” as me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Nuk është ndonjë shkrimtare e madhe, por herë pas here më befason me disa fjali, me disa ide. Ajo eksperimenton, ndonjëherë funksionon, shumë herë jo. Por unë do të zgjidhja çdo ditë një artikull jo të përsosur, plot me risqe letrare dhe gabime gramatikore, sesa një tekst të përsosur teknikisht, por emocionalisht bosh.





