Pse është e rëndësishme qëndrueshmëria kibernetike në shtëpi?
Teknologjia është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë. Fëmijët përdorin telefona, tableta, lojëra online dhe pajisje të tjera që lidhen vazhdimisht me internetin. Sa më shumë rritet ekspozimi ndaj botës digjitale, aq më i rëndësishëm bëhet edukimi rreth sigurisë kibernetike.
Qëndrueshmëria kibernetike nënkupton aftësinë për të parandaluar rreziqet digjitale, për të mbrojtur informacionin personal dhe për t’u rikthyer shpejt pas çfarëdo sulmi kibernetik. Mjedisi familjar është vendi ku fëmijët mësojnë themelet e këtij edukimi.

Si t’i mbrojmë fjalëkalimet në mënyrë efektive?
Krijoni fjalëkalime të gjata dhe të paparashikueshme. Kombinoni shkronja, shifra dhe simbole, në mënyrë që ato të jenë më të vështira për t’u thyer nga programet e hakerëve.
Po aq e rëndësishme është të shmangni përdorimin e të njëjtit fjalëkalim për shumë platforma, sepse një rrjedhje e vetme i ekspozon të gjitha llogaritë. Përdorimi i një “password manager” e lehtëson procesin duke ruajtur në mënyrë të sigurt të gjithë fjalëkalimet.
A duhet të bëjmë kopje rezervë të të dhënave?
Po. Ruajeni kopjen rezervë në një pajisje të jashtme ose në një shërbim cloud. Në rast sulmi, defekti apo humbjeje pajisjeje, një backup i rregullt e shmang humbjen e informacionit të rëndësishëm dhe dokumenteve personale.
Sa e rëndësishme është verifikimi me dy hapa?
Aktivizimi i multi factor authentication rrit ndjeshëm sigurinë tuaj digjitale. Edhe nëse dikush zbulon fjalëkalimin, nuk do të ketë mundësi të hyjë në llogarinë tuaj pa kodin shtesë të sigurisë. Kjo është një nga strategjitë më të fuqishme kundër vjedhjes së identitetit dhe qasjes së paautorizuar.
A kanë rëndësi pyetjet e rikuperimit?
Po. Zgjidhni pyetje rikuperimi që nuk mund të hamendësohen lehtë. Shmangni të dhënat që dikush mund t’i gjejë në profilet tuaja publike. Pyetjet e forta e bëjnë rikuperimin të sigurt dhe e vështirësojnë aksesin e paligjshëm.
Pse duhet të kemi llogari dytësore?
Disa shërbime rekomandojnë përdorimin e një llogarie të dytë për komunikime të rëndësishme ose si opsion emergjent. Kjo është e dobishme në rast se llogaria kryesore komprometohet. Llogaria rezervë mund t’ju ndihmojë edhe pas një sulmi kibernetik.
A duhet të kontrollojmë nëse jemi prekur nga shkeljet e të dhënave?
Po. Kontrolloni rregullisht nëse llogaritë tuaja janë përfshirë në ndonjë shkelje të databazave online. Nëse gjeni shenja komprometimi, ndryshoni menjëherë fjalëkalimet dhe aktivizoni masat e sigurisë.
Si të ruhet argëtimi me teknologjinë duke qenë të sigurt?
Teknologjia është e dobishme, zbavitëse dhe edukative. Qëndrueshmëria kibernetike nuk nënkupton frikë, por përdorim të mençur.
Prindërit duhet t’i udhëzojnë fëmijët si të gëzojnë përfitimet e botës digjitale pa e rrezikuar veten. Balanca midis argëtimit dhe sigurisë është thelbësore për zhvillimin e tyre të shëndetshëm.
Autori: Perparim Blakaj
Burimi: The National College
© Horizontalisht | Të gjitha të drejtat e rezervuara





